Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë të Jugut, nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Muhamet Gashi”, gjatë realizimit të një operacioni taktik të koduar “KIOSKU”.
Gjatë kontrollit të të dyshuarit, policia ka gjetur 4.5 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Me urdhër të prokurorit, më pas janë kontrolluar edhe një lokal dhe një banesë në pronësi të të dyshuarit.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 117.9 gramë marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon celular dhe 435 euro para të gatshme.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.